Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka bërë thirrje për një angazhim më të fuqishëm të Bashkimit Evropian në Ballkan, duke theksuar se zhvillimet aktuale ndërkombëtare po ndodhin në një periudhë pasigurie dhe ndryshimesh të thella në rendin botëror.
Hoxhaj mori pjesë në debatin e nivelit të lartë “Angazhimi i besueshëm në Jug”, i organizuar në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Berlin, ku diskutoi për sfidat e sigurisë dhe rolin e partnerëve ndërkombëtarë në rajon.
Në një postim në Facebook, ai publikoi edhe fotografi nga paneli dhe tha se bota po kalon një periudhë tranzicioni, ku rendi ekzistues po dobësohet, ndërsa ai i ri ende nuk është formësuar. “Theksova se po jetojmë ndërmjet një rendi botëror që po shpërbëhet dhe një rendi të ri që ende nuk ka marrë formë”, theksoi Hoxhaj.
Sipas tij, dobësimi i institucioneve ndërkombëtare dhe ambiciet perandorake të Rusisë e bëjnë të domosdoshëm një rol më të fuqishëm të Bashkimit Evropian në Ballkan, përfshirë edhe në fushën e sigurisë.
Gjatë debatit, Hoxhaj ishte pjesë e panelit së bashku me gjenerallejtënant Iulian Berdila, zëvendësshef i Mbrojtjes për Operacione dhe Trajnim në Rumani, si dhe gjenerallejtënant Nuno Lemos Pires, drejtor i Politikës Kombëtare të Mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes të Portugalisë.
Paneli u moderua nga Javier Colomina, përfaqësues i posaçëm i NATO-s për Fqinjësinë Jugore.
Hoxhaj theksoi se për Kosovën dhe rajonin, prania dhe angazhimi afatgjatë i partnerëve euroatlantikë mbetet thelbësor për ruajtjen e paqes dhe perspektivën e integrimit. “Për Kosovën dhe rajonin tonë, angazhimi i qëndrueshëm i BE-së dhe NATO-s mbetet jetik për paqen dhe të ardhmen euroatlantike”, përfundoi ai.