53-vjeçari humb jetën nga sulmi i arit në Bulqizë

Një 53-vjeçar ka humbur jetën pasditen e së martës në Bulqizë të Shqipërisë, pasi dyshohet se është sulmuar dhe kafshuar nga një ari.

Ngjarja është konfirmuar nga Policia e Shtetit, e cila ka bërë të ditur se informacionin për rastin e ka pranuar rreth orës 14:10, pas njoftimit nga Spitali i Bulqizës.

Sipas policisë, familjarët e 53-vjeçarit me inicialet U.F. kishin kërkuar ndihmë mjekësore, pasi ai dyshohej se ishte sulmuar nga një kafshë e egër. “Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar se 53-vjeçari kishte humbur jetën”, thuhet në njoftimin e policisë.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *