Në legjislaturën e njëmbëdhjetë të Kuvendit të Kosovës, janë formuar shumë komisione hetimore, por efekti i tyre ka qenë i kufizuar.
Një nga këto komisione është ngritur për të hetuar rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe ka filluar punën e tij.
Në këtë legjislaturë, kemi vetëm një komision hetimor parlamentar, që merret me veprimet dhe mosveprimet në lidhje me këtë rast.
Gjatë mbledhjeve të këtij komisioni, është theksuar se raporti që pritet të publikohet duhet të bazohet në fakte dhe jo në politikë.
Sidoqoftë, në vitet e kaluara, Kuvendi i Kosovës ka formuar dhjetra komisione hetimore për çështje të ndryshme.
Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, shumica e këtyre komisioneve nuk kanë arritur të realizojnë efektin e pritur. “Komisionet hetimore nuk duhet të shihen si çështje politike, por si çështje që kanë interes qytetar dhe duhet të mbahen jashtë agjendave politike.
Ka pasur shumë komisione që janë krijuar, por më pas nuk kanë funksionuar siç duhet,” tha Melos Kolshi, hulumtues në IKD.
Analisti Shemsi Jashari gjithashtu vlerëson se komisionet e tilla nuk sjellin asnjë rezultat pozitiv për zgjidhjen e çështjeve për të cilat janë formuar. “Shumë herë përdoren për efekt politik të menjëhershëm, për të amortizuar situata, në vend që të kenë një ndikim ligjor.
Ka pasur raste kur komisionet hetimore nuk kanë arritur të kryejnë punën e tyre, pasi ata që ishin në qeveri i kanë bojkotuar dhe nuk e lejuan punën e tyre,” deklaroi ai.
Sipas legjislacionit aktual, komisioni hetimor përgatit një raport që i dërgohet Kuvendit, dhe nëse raporti përmban elemente të veprës penale, ai dërgohet në Prokurori.
Një rast ku është ngritur një aktakuzë pas raportit të një komisioni është ai i ish-drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Driton Gashi, për dëbimin e kundërligjshëm të gjashtë shtetasve turq nga Kosova.