Rritja e Shujtës Studentore: Forumi për Ndryshime në Arsim Kërkon Respektimin e Ligjit

Forumi për Ndryshime në Arsim kërkon që Ministria e Arsimit ta përshtatë shujtën studentore me nivelin e inflacionit vjetor.

Blendi Hodai thekson se ky është një obligim ligjor, duke u shprehur se, nëse ligji do të respektohej, nga 1 janari 2027, shujta studentore duhet të arrijë në 172 denarë. “Prioriteti kryesor i studentëve nga ajo që ne si organizatë jemi në kontakt të përditshëm me ta është respektimi i ligjit për shujtën studentore, që parasheh që Ministria e Arsimit dhe Shkencës ta harmonizojë shumën e shujtës studentore me inflacionin vjetor, gjë që nuk e ka bërë për tre vite me radhë.

Sipas ligjit, nga 1 janari i vitit 2027 duhet të jetë 172 denarë në qoftë se do të respektohej ligji dhe ne nuk po kërkojmë asgjë më shumë se respektim të ligjit.” – u shpreh Blendi Hodai nga Forumi për Ndryshime në Arsim.

Hodai gjithashtu e konsideron të papranueshëm propozimin e qeverisë për shujtë studentore prej 4.500 denarësh në muaj dhe përdorimin e një sistemi elektronik për blerjen e ushqimit.

Ai paralajmëron se ky model do të keqmenaxhojë paratë publike dhe do të detyrojë qeverinë të angazhojë kompani të caktuara për realizimin e platformës m-shërbimeve, që do të sjellë shpenzime të mëdha për qytetarët. “Ne nuk duam që paratë e qytetarëve të shkojnë dëm, por konsiderojmë që janë të rëndësishme që në vend se paratë të përfundojnë në firmat software për një platformë të panevojshme, të njëjtat para të shkojnë në xhepin e qytetarëve, respektivisht te studentët përfitues të shujtës studentore.” – deklaroi Hodai.

Nga ana e tij, zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, shprehu se MASH dhe Qeveria kanë biseduar me organizatat studentore dhe presin përgjigje rreth ofertave të propozuara. “Kemi propozuar një model dhe e rrisim shumën e shujtës studentore, në këtë rast kemi propozuar një model të ri funksionimi, përmes të cilit ata do të kenë mundësi që atë shumë mujore, të rritur, ta shfrytëzojnë kryesisht për t’u pajisur me ushqime.

Modeli i propozuar është i ngjashëm me modelin e Sllovenisë.” – tha Zv.Ministri Sulejmani.

Takimi mes studentëve, kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministres së Arsimit, Vesna Janevska, për shujtën studentore, përfundoi pa rezultate konkrete dhe pa një marrëveshje për rritjen e shumës aktuale prej 140 denarësh.

Qeveria dhe Ministria e Arsimit kanë propozuar një sistem të ri të subvencionimit përmes vauçerëve digjitalë, sipas modelit që zbatohet në Slloveni, ndërsa disa organizata studentore kërkojnë që shujta studentore të rritet në 200 denarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *