Tensionet mes Kroacisë dhe Malit të Zi: Çështja e Demarkacionit Kufitar

Tensionet mes Kroacisë dhe Malit të Zi lidhur me çështjen e demarkacionit kufitar vazhdojnë të mbeten të pranishme.

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, ka theksuar se Zagrebi nuk do të heqë dorë nga territori që e konsideron të vetin.

Kjo deklaratë vjen pas qëndrimit të ministrit të Jashtëm malazez, Ervin Ibrahimoviq, i cili ka shprehur se Mali i Zi nuk do të lëshojë asnjë pjesë të territorit të tij, duke lënë hapur mundësinë për vazhdimin e negociatave për zgjidhjen e këtij kontesti.

Plenkoviq ka sqaruar se Kroacia nuk kërkon territorin e asnjë shteti tjetër, por është e vendosur të mbrojë atë që e konsideron të vetin, duke iu referuar demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. “Kroacia nuk kërkon kurrë territorin e dikujt tjetër, por nuk do ta japë të vetin, dhe as qeveria jonë dhe as askush tjetër në Kroaci nuk do ta japë atë”, ka deklaruar Plenkoviq para gazetarëve në Poreç.

Ai ka komentuar gjithashtu qëndrimin e Ibrahimoviqit, duke thënë se nuk arrin ta kuptojë plotësisht për çfarë është fjala.

Kroacia po kërkon që të formalizohet regjimi ekzistues kufitar dhe Plenkoviq ka theksuar se propozimi i Kroacisë për marrëveshjen e demarkacionit tokësor mbështetet në parimet e Komisionit të Badinterit, sipas të cilave kufijtë e dikurshëm republikanë të ish-Jugosllavisë janë shndërruar në kufij shtetërorë pas shpërbërjes së federatës.

Ai përmendi gjithashtu regjimin e përkohshëm kufitar të vendosur në vitin 2002, duke thënë se ky regjimin konfirmon kufirin në Kepin Konfin dhe është mbështetur nga ekspertët e të dyja vendeve. “Tani është koha për të formalizuar regjimin ekzistues të përkohshëm kufitar.

Sa i përket qëndrimit tonë, ai është i qartë, i pastër dhe nuk do të ndryshojë”, tha kryeministri kroat.

Plenkoviq theksoi se Mali i Zi ka zgjidhur çështjet e demarkacionit me Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën mbi të njëjtat parime, prandaj ai shpreson që marrëveshja me Kroacinë të jetë gjithashtu e mundur. “Çdo gjë tjetër do të ishte jashtëzakonisht e habitshme dhe mund të lexohet nga ana jonë, nëse duam vërtet të jemi plotësisht analitikë, se ndoshta dikush ka pretendime për territorin kroat”, tha ai, duke shprehur shpresën se kjo nuk është arsyeja e qëndrimeve të Malit të Zi. Çështja e kufirit tokësor dhe detar mbetet një nga temat më të hapura mes Kroacisë dhe Malit të Zi, ndërsa Podgorica po zhvillon negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kroacia ka kërkuar që çështjet e hapura dypalëshe të zgjidhen, dhe së fundmi, Zagrebi refuzoi të japë miratimin për mbylljen e Kapitullit 15, që lidhet me energjinë, për shkak të dokumenteve të kontestuara që kanë të bëjnë me demarkacionin detar.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, ka theksuar se vendi i tij nuk do të heqë dorë nga territori, por mbetet i gatshëm të vazhdojë negociatat me Kroacinë për zgjidhjen e çështjeve të hapura përmes marrëveshjes ose institucioneve ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *