Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar më 16.11.2026 për tërheqjen e një serie të qumështit “VITA” 3.2%.
Sipas njoftimit, analizat laboratorike të kryera në Austri dhe Kosovë kanë zbuluar praninë e aflatoksinës M1 mbi nivelin maksimal të lejuar.
Kjo ka ndodhur në një seri të qumështit “VITA” UHT 3.2% yndyrë, i prodhuar nga kompania “ABRAZEN” SH.P.K. (Qumështorja VITA). “Seria e qumështit e përfshirë në tërheqje: Produkti: VITA – Qumësht UHT 3.2% yndyrë.
Prodhuesi: ABRAZEN SH.P.K. (Qumështorja VITA) Paketimi: 1 litër.
Data e prodhimit: 18.07.2026.
Afati i përdorimit: 18.01.2027” – thuhet në njoftim.
AUV u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos konsumojnë këtë seri dhe ta kthejnë produktin në pikën e shitjes ku e kanë blerë. “Në këtë fazë, masa e tërheqjes nga tregu zbatohet vetëm për serinë e identifikuar më sipër.
Seritë dhe produktet e tjera të të njëjtit prodhues nuk janë objekt i kësaj mase, ndërsa verifikimet e mëtejshme janë në vazhdim.
AUV do të informojë publikun dhe do të ndërmarrë masa shtesë nëse rezultatet e kontrolleve dhe vlerësimi i rrezikut e kërkojnë këtë” – thuhet në njoftim.
Konfirmimi më i fundit është bërë nga Instituti për Sigurinë e Ushqimit në Linz, i cili ka raportuar për një përqendrim të aflatoksinës M1 prej 0.065 µg/kg, duke tejkaluar nivelin maksimal të lejuar prej 0.050 µg/kg.
Ky rezultat është në përputhje me analizat e Laboratorit të Ushqimit dhe Veterinarisë (LUV) në Kosovë, që kishte konstatuar tejkalim të nivelit të lejuar të aflatoksinës M1 në tri mostra të qumështit VITA 3.2% – thuhet në njoftim.
AUV ka urdhëruar bllokimin dhe tërheqjen nga tregu të kësaj serie.
Sipas njoftimit, operatori është i detyruar të ndalojë shitjen dhe shpërndarjen, të sigurojë tërheqjen e produktit nga pikat e shitjes dhe të dokumentojë sasitë e tërhequra, në përputhje me nenet 22 dhe 23 të Ligjit për Ushqim.
Aflatoksina M1 është një substancë toksike që mund të kalojë në qumësht përmes ushqimit të kontaminuar të kafshëve, dhe ekspozimi afatgjatë ndaj saj mund të paraqesë rrezik për shëndetin e konsumatorëve.