Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shprehur kritika ndaj përfaqësuesve të Listës Studentore, duke vënë në dyshim qëndrimet e tyre rreth Kosovës dhe raportet me Listën Serbe.
Në një konferencë për media, Vuçiq theksoi se është veçanërisht i shqetësuar për zhvillimet që prekin komunitetin serb në Kosovë, duke akuzuar përfaqësuesit e Listës Studentore për mungesë reagimi ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Sipas tij, Kurti kishte thënë se do të shihej se cili do të ishte qëndrimi i pushtetit të ardhshëm në Serbi dhe nëse ai do ta njihte pavarësinë e Kosovës. “Ata nuk iu përgjigjën as për një sekondë Kurtit, i cili tha: ‘Do të shohim se cili do të jetë qëndrimi i pushtetit të ri dhe nëse do ta njohë pavarësinë e Kosovës’.
Për këtë nuk ka përgjigje”, deklaroi Vuçiq.
Presidenti serb kritikoi gjithashtu një përfaqësues të Listës Studentore për Kosovën, duke pretenduar se ai nuk ka lidhje të drejtpërdrejta me territorin dhe se e ka vizituar vetëm 3 herë gjatë jetës. “Ai prezantohet gjithandej si përfaqësues i Listës Studentore për Kosovën, ndërkohë që vetë ka qenë në Kosovë gjithsej 3 herë gjatë jetës së tij.
Nuk ka asnjë lidhje me Kosovën dhe as nuk jeton atje”, u shpreh Vuçiq.
Ai e akuzoi këtë përfaqësues se kundërshton bashkëpunimin me Listën Serbe, subjektin politik që gëzon mbështetje nga Beogradi. “E di shumë mirë se nuk dëshiron të bashkëpunojë me Listën Serbe.
E di shumë mirë se nuk dëshiron të bashkëpunojë me përfaqësuesit e popullit serb.
Po ashtu, e di shumë mirë se si do të veprojnë Kurti dhe të tjerët”, tha presidenti serb.
Vuçiq u bëri thirrje përfaqësuesve të Listës Studentore që t’i përgënjeshtrojnë pretendimet e tij. “Do të ishte mirë që t’i përgënjeshtronit këto.
Me kënaqësi do t’i pranonim lajme të tilla, sepse ne u gëzohemi sukseseve të Serbisë dhe mbijetesës së saj, e jo fatkeqësive dhe lajmeve të këqija për vendin tonë”, përfundoi ai.