Aktivistët e QIKA-së kërkojnë drejtësi për Arlinda Zekajn në një aksion simbolik

Aktivistët e organizatës QIKA realizuan një aksion simbolik para Qeverisë, ku vendosën mbishkrimin “Shteti e vrau Arlindën” dhe derdhën disa kova me ngjyrë të kuqe në shkallët e institucionit, duke kërkuar përgjegjësi për vrasjen e Arlinda Zekajt.

Gjatë këtij aksioni, aktivistja Blenda Asllani theksoi se Arlinda Zekaj kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet shtetërore, kishte ndjekur të gjitha procedurat ligjore dhe kishte siguruar një urdhër mbrojtjeje.

Pavarësisht këtyre veprimeve, jeta e saj nuk u mbrojt. “Arlinda Zekaj kërkoi mbrojtje nga shteti.

Ajo iu drejtua institucioneve, ndoqi procedurat ligjore, siguroi urdhër mbrojtjeje dhe paralajmëroi qartë për rrezikun që i kanosej.

Institucionet ishin të njoftuara, rreziku ishte i dokumentuar e, megjithatë, pak minuta më vonë Arlindën e vranë”, u shpreh Asllani para mediave.

Ajo kritikoi institucionet për dështimin në garantimin e sigurisë së grave që raportojnë dhunën dhe kërkojnë mbrojtje, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e mekanizmave institucionalë kur ata nuk arrijnë të parandalojnë vrasjet. “Shteti u kërkon grave të denoncojnë dhunën, të dokumentojnë kërcënimet, të kërkojnë urdhër mbrojtjeje e t’u besojnë institucioneve.

Por çfarë vlere kanë këto procedura kur një grua mund t’i ndjekë të gjitha e prapë ta vrasin?”, shprehu ajo.

Asllani kërkoi që të gjitha institucionet dhe hallkat përgjegjëse të hetohen, duke theksuar se përgjegjësia nuk duhet të shmanget përmes ndarjes së kompetencave institucionale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *