Policia e Kosovës ka sekuestruar një armë zjarri në fshatin Gjurkovc të Shtimes, pasi një person dyshohet se ka shtënë disa herë në ajër gjatë një ahengu familjar.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 7 nëntor 2026, ndërsa i dyshuari është një 30-vjeçar me inicialet A.I.
Bëhet fjalë për një pistoletë, për të cilën i dyshuari posedonte leje valide për mbajtje.
Në cilësi të provave materiale, policia ka sekuestruar armën e zjarrit me karikator, 30 fishekë dhe tri gëzhoja.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka vendosur që i dyshuari, pas intervistimit, të lirohet në procedurë të rregullt hetimore.