Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me bashkëshorten e tij, Rita Augestad-Knudsen, morën pjesë në darkën e organizuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe bashkëshortja e tij, Brigitte Macron, në Pallatin Élysée në Paris.
Kjo ngjarje ishte pjesë e Forumin të Paqes që po zhvillohej në kryeqytetin francez.
Kurti e bëri të ditur pjesëmarrjen e tij në këtë ngjarje përmes një postimi në Facebook, ku shprehu mirënjohjen për ftesën nga presidenti francez dhe Zonja e Parë. “Bashkë me Ritën ishim të nderuar të marrim pjesë në darkën e shtruar nga Presidenti Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë Brigitte Macron, në Pallatin Élysée, në kuadër të Forumit të Paqes në Paris”, shkroi Kurti.
Gjatë vizitës në Francë, kryeministri zhvilloi disa takime të rëndësishme.
Ai u takua me presidentin e Senatit francez, Gérard Larcher, me të cilin diskutojë për marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimin ekonomik, si dhe aspiratat e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Kurti gjithashtu pati një takim me kryetarin e Parisit, Emmanuel Grégoire, ku u fokusua në bashkëpunimin për banimin e përballueshëm dhe social, si dhe forcimin e lidhjeve kulturore midis Kosovës dhe kryeqytetit francez.
Para hapjes së Forumit të Paqes, ai u takua me disa personalitete franceze që kanë kontribuar në çështjen e Kosovës, duke përfshirë ish-ministrin e Mbrojtjes, Alain Richard, si dhe përfaqësues nga fusha e akademisë, kulturës dhe drejtësisë ndërkombëtare.
Në këto takime, u diskutua për zhvillimet demokratike, ekonomike dhe të sigurisë në Kosovë, si dhe për vendimin e 16 shtatorit të Gjykatës Speciale dhe përpjekjet për ndryshimin e tij në procedurën e apelit.
Në kuadër të Forumit të Paqes, kryeministri Kurti mori pjesë edhe në panelin “Making Peace Last: Rebuilding Societies After War”, ku foli për demokracinë, zhvillimin ekonomik e social, arsimin dhe rëndësinë e investimeve në infrastrukturë.
Vizita e kryeministrit në Francë filloi më 7 nëntor, dhe darka në Pallatin Élysée shënon përmbylljen e qëndrimit të tij në Paris.