Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se draftimi i ligjit për Dhomat e Specializuara pritet të përfundojë gjatë kësaj jave.
Ai theksoi se aktualisht po pritet që ekspertët të përmbyllin punën e tyre.
Kur u pyet nga gazetarët për afatin e draftit të këtij ligji, Kurti u shpreh se synimi mbetet për këtë javë, ashtu siç ishte paralajmëruar më herët. “Gjatë kësaj jave kemi thënë dhe po presim prej ekspertëve që ta përmbyllin këto ditë,” deklaroi ai.
Draftimi i këtij projektligji vjen në një moment të rëndësishëm, pasi çështja e Dhomave të Specializuara vazhdon të jetë pjesë e diskutimeve politike dhe institucionale në Kosovë.
Më 19 nëntor, kryeministri Kurti dhe ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ranë dakord që ndryshimet të procedohen përmes një projektligji të ri, në vend që të votohet sërish teksti i miratuar nga Kuvendi më 6 tetor.
Marrëveshja u arrit pas disa javësh paqartësish rreth ligjit, të cilin presidentja Justina Shiroka Pula e kishte kthyer për rishqyrtim më 22 tetor, me kërkesë të vetë PDK-së, që e kishte iniciuar atë.
Ndryshimet e miratuara në tetor parashihnin, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të Gjykatës, ngushtimin e periudhës kohore dhe territorit për të cilin ajo mund të gjykojë, si dhe uljen e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet.
Ato përfshinin edhe mundësinë e vuajtjes së dënimeve në Kosovë.
Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionojnë në Hagë, me gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.