Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, mori pjesë në seancën gjyqësore në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda, lidhur me vrasjen e veprimtarit shqiptar të të drejtave të njeriut, Enver Hadri.
Përmes një postimi, Bajrami theksoi se ai ishte aty për të përfaqësuar Republikën e Kosovës, si një shenjë solidariteti me familjen Hadri dhe ekipin e tyre ligjor, të cilët vazhdojnë përpjekjet për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për këtë vrasje tragjike. “Enver Hadri, intelektual, patriot dhe mbrojtës i të drejtave të njeriut nga Kosova, u vra në Bruksel më 25 shkurt 1990”, deklaroi Bajrami.
Ai theksoi se, siç kanë konstatua tashmë gjykatat belge, vrasja ishte organizuar dhe ekzekutuar nga shërbimet sekrete jugosllave. “Enveri u vra për punën e tij dhe për atë që përfaqësonte.
Vrasja e tij ishte pjesë e politikës së Beogradit kundër Kosovës, një politikë që nuk përfundoi më 1990”, shtoi ai.
Sipas Bajramit, kjo politikë vazhdoi me krimet gjenocidale, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës gjatë viteve 1998-1999, dhe vazhdon edhe sot përmes mohimit të vazhdueshëm të këtyre krimeve.
Ai vlerësoi rëndësinë e faktit që drejtësia belge po e trajton këtë rast edhe pas më shumë se 36 vjetësh nga vrasja. “Që drejtësia belge po e shqyrton ende këtë rast pas më shumë se 36 vjetësh është domethënëse në vetvete.
Kosova i është mirënjohëse Belgjikës për këmbënguljen e saj”, përfundoi Bajrami.