Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka marrë pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë të Fondit Global për Angazhimin dhe Qëndrueshmërinë e Komuniteteve (GCERF), që është mbajtur në Tokio të Japonisë.
Sveçla, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Japoni dhe është anëtar i Bordit të GCERF-së, ka diskutuar gjatë takimit për sfidat aktuale dhe angazhimet e përbashkëta në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e terrorizmit.
Sipas njoftimit nga Ministria e Punëve të Brendshme, ministri ka prezantuar progresin dhe rezultatet e Kosovës në këtë fushë, duke veçuar kapacitetet e institucioneve të sigurisë, zhvillimin e arkitekturës institucionale sipas modelit evropian dhe forcimin e mekanizmave parandalues.
Gjatë fjalës së tij, Sveçla ka theksuar se Kosova përbën një shembull për rajonin dhe më gjerë në proceset e kthimit, rehabilitimit dhe riintegrimit të qytetarëve që janë kthyer nga zonat e konfliktit. “Parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimi i terrorizmit janë investim i drejtpërdrejtë në sigurinë dhe të ardhmen e shoqërisë sonë”, ka deklaruar Sveçla.
Ai gjithashtu ka vlerësuar partneritetin dhe mbështetjen e GCERF-së për Kosovën, duke e cilësuar këtë mekanizëm si një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira.