Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur masën e paraburgimit prej një muaji për katër personat e dyshuar në lidhje me vrasjen e Arlinda Zekajt.
Kjo çështje përfshin arrestimin e ish-vjehrrës dhe ish-kunatit të Arlindës, si dhe dy individëve të tjerë.
Sipas njoftimit nga Gjykata, Departamenti për Krime të Rënda ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve Nurije Sylaj, Driton Sylaj, M.P. dhe G.B.
Gjykata ka sqaruar se ndaj dy të pandehurve, Nurije Sylaj dhe Driton Sylaj, paraburgimi është vendosur për shkak të dyshimeve për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale – Vrasja e rëndë”.
Ndërsa, dy të pandehurit e tjerë, M.P. dhe G.B., dyshohen për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”.
Masa e paraburgimit është caktuar të jetë në fuqi nga 24 nëntori deri më 24 dhjetor 2026.