Dogana e Kosovës ka zbuluar 4 mijë e 161 copë stoli argjendi në një dërgesë postare në sektorin e Aeroportit – Kargo, e cila ishte deklaruar si “pjesë të imta metali për testim”.
Sipas njoftimit të Doganës, rasti është zbuluar gjatë kontrolleve të rregullta, pas dyshimeve për mospërputhje ndërmjet përshkrimit të deklaruar dhe përmbajtjes së dërgesës. “Pas analizimit të pamjeve të skanimit dhe ekzaminimit fizik, është konstatuar se përmbajtja e pakos nuk përputhej me deklarimin e bërë”, thuhet në njoftim.
Brenda pakos janë gjetur gjithsej 1,331 unaza, 358 qafore, 844 byzylykë, 1,001 varëse, 503 palë vathë dhe 124 komplete stoli argjendi.
Dogana ka bërë të ditur se vlera reale doganore e mallit, pa përfshirë taksat, është 25,861.39 euro, ndërsa detyrimet doganore që është tentuar të shmangen arrijnë në 7,706.69 euro. “Për shkak të mosdeklarimit të saktë të llojit, sasisë, peshës dhe vlerës së mallit, rasti është trajtuar si kundërvajtje doganore”, thuhet në komunikatë.