Arbër Hajdari ka shprehur reagimin e tij pas deklaratave të ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili e përmendi si një prej kandidatëve të mundshëm për të drejtuar Bashkinë e Tiranës, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hajdari ka mohuar çdo lidhje me këtë çështje, duke i cilësuar fjalët e Veliajt si thashetheme dhe fantazi.
Ai theksoi se nuk ka asnjë lidhje me atë që e përshkroi si histori penale-politike, duke theksuar se nuk ka pasur asnjëherë ambicie për të marrë drejtimin e Bashkisë së Tiranës. “Më mbytën mesazhet për thashethemet e Erion Veliajt.
Jam pa fjalë dhe nuk e kuptoj pse paskam rënë unë këtë herë në çorbën e fantazive të zotërisë!
Unë nuk kam lidhje me këtë histori penale-politike dhe as jam i papunë, as kam ëndërruar ndonjëherë të më punësojë, larg qoftë, Lali Eri!”, shprehet Hajdari.
Ai gjithashtu theksoi se fundjavat e tij vazhdojnë të kalohen pranë njerëzve në nevojë, ndërsa e mbylli reagimin me një mesazh ironik për të sqaruar se nuk është pjesë e zhvillimeve politike për të cilat është përmendur. “Fundjava ime mbetet gjithnjë ndryshe, mes njerëzve në nevojë.
E gjithë java e politikës po njësoj, mes llafeve të kota.”