Blerim Isufaj, i cili është shkarkuar nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, ka shprehur dyshime se vendimi për shkarkimin e tij ishte planifikuar para votimit në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).
Në ankesën që i është drejtuar Gjykatës Supreme, e cila ka arritur në redaksinë e televizioni Dukagjini, Isufaj kërkon që ky vendim të anulohet dhe ai të rikthehet në pozitën e udhëheqësit të kësaj Prokurorie. “Arsyetimi i një vendimi kolegjial duhet të jetë pasqyrë e diskutimit dhe bindjes që formohet në takim.
Kur arsyetimi ekziston para votimit, diskutimi shndërrohet në ratifikim formal të një teksti të përgatitur, argumentet e anëtarëve që mund të kishin mendim tjetër nuk kanë asnjë mundësi të pasqyrohen dhe çdo argument i mundshëm i ankuesit është i pavlerë që në nisje.” Në vendimin e KPK-së, për shkarkimin e tij, thuhej se Isufaj kishte menaxhuar keq Prokurorinë dhe kishte pasur tendenca për të ndikuar në rastet që ishin në hetim. “Pohimi se ndarja manuale ka krijuar rrezik që kryeprokurori të ‘ndikojë drejtpërdrejt në drejtimin dhe rezultatin e hetimit’ mbetet abstrakt.
Vendimi nuk pretendon as nuk identifikon asnjë lëndë të vetme në të cilën ndarja manuale është përdorur për të ndikuar në hetim.
Rreziku abstrakt nuk është sjellje e vërtetuar.” Isufaj i ka bashkëngjitur ankesës së tij edhe vendimin e Supremes, me të cilin ishte anuluar vendimi i KPK-së për shkarkimin e Besim Kelmendit nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të shtetit.
Ai gjithashtu ka renditur disa nga rastet më të rëndësishme e më të ndërlikuara që janë trajtuar nga prokurorët e PSRK-së, si rastet e spiunazhit dhe ato të 23 intelektualëve të zhdukur, që u gjetën së fundmi në një varrezë masive në veri, si dhe rastin e rezervave shtetërore. “Në mesin e rasteve me rëndësi të veçantë përfshihen rastet që ndërlidhen me lagjen Jasharaj, rasti i njohur si SKY ECC, si dhe raste të tjera të rëndësishme që kanë kërkuar angazhim të shtuar profesional dhe institucional.
Trajtimi i këtyre lëndëve dëshmon rëndësinë e kapaciteteve të specializuara të PS-së në adresimin e formave të rënda dhe komplekse të kriminalitetit, përfshirë krimet e luftës dhe kriminalitetin e organizuar.” Duke vlerësuar se i është mohuar e drejta për t’u dëgjuar nga Këshilli, ai ka propozuar që gjykata të mbajë një seancë publike dëgjimore ku do të fliste vetë Isufaj.
Aktualisht, lënda është në trajtim në Supreme, dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet t’i përgjigjet kësaj ankese brenda 15 ditësh, para se të merret vendimi.
Blerim Isufaj, i cili nuk u dekretua nga Presidentja për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, ishte udhëheqës i Prokurorisë Speciale që nga viti 2019.