Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, ka bërë një deklarim të pasurisë për Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, ku ka evidentuar disa prona të paluajtshme në emër të prindërve, një automjet personal të markës Audi, si dhe disa detyrime kreditore në bankë.
Sipas të dhënave të publikuara, në kategorinë e pronave të paluajtshme përfshihen dy prona të regjistruara në emër të prindërve të tij.
Prona e parë është një shtëpi banimi në komunën kadastrale të Sarajit, me sipërfaqe prej 80 metra katrorë dhe një vlerë të deklaruar prej 3 milionë denarë.
Në regjistër thuhet se kjo pronë është fituar në vitin 2002, ndërsa baza juridike e fitimit është shënuar si një mënyrë tjetër e fitimit të pronës.
Prona e dytë është një banesë në komunën e Çairit, me sipërfaqe prej 68 metrash katrorë dhe vlerë të deklaruar prej 2.5 milionë denarësh.
Kjo pronë figuron e fituar në vitin 2011, përmes kontratës së shitblerjes.
Në total, vlera e këtyre dy pronave të regjistruara në emër të prindërve arrin në 5.5 milionë denarë.
Sa i përket pasurisë së luajtshme, Hoxha ka deklaruar një automjet personal të markës Audi A4, të prodhuar në vitin 2012.
Automjeti figuron i fituar më 23 janar 2021, përmes kontratës së shitblerjes, me një vlerë prej 420 mijë denarësh në momentin e blerjes.
Në pjesën e detyrimeve financiare, ministri ka deklaruar një kredi personale bankare në vlerë prej 900 mijë denarësh, si dhe një tjetër në emër të bashkëshortes në vlerë prej 300 mijë denarësh.