Të tre të akuzuarit për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, si dhe Igor Dimoviq, janë shprehur sërish të pafajshëm gjatë seancës së mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Ata kanë mohuar akuzat ndaj tyre në seancën e zhvilluar në Departamentin Special, e cila u organizua me një trup gjykues të ri pas pensionimit të gjyqtarit Vesel Ismaili.
Trupi i ri gjykues udhëhiqet nga gjyqtari Leon Përlaska, ndërsa anëtarë të tij janë Lutfi Shala dhe Kujtim Krasniqi.
Pas deklaratës së të akuzuarve, procedura ka vazhduar me fjalët hyrëse.
Prokurori Bekim Kodraliu ka konfirmuar se mbetet prapa fjalës hyrëse të paraqitur më herët.
Me ndryshimin e trupit gjykues, gjykimi ka nisur rishtazi, por palët janë pajtuar që dëshmitë e dhëna më parë të konsiderohen të lexuara, për të shmangur përsëritjen e tyre.
Në seancën e ardhshme pritet të vazhdojë dëshmia e Tijana Viqentijeviqit, si dhe dëgjimi i dëshmitarëve të tjerë.
Seanca e radhës do të mbahet më 17 dhjetor në ora 13:00.
Shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit ndodhi në nëntor të vitit 2024, në fshatin Varagë të Zubin-Potokut.
Autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar këtë ngjarje si sulm terrorist, ndërsa kanë akuzuar Serbinë për përgjegjësinë e saj.