Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka theksuar se miratimi i vendimit të Qeverisë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë, do të thotë që për 60 ditë energjia elektrike mund të ndërpritet në çdo moment dhe kudo.
Ajo ka shprehur mendimin se ky vendim nuk do të sjellë përmirësim në furnizimin me energji, por përkundrazi, mbron KEDS/KESCO-n nga paditë eventuale për dëmet që po shkaktohen nga ndërprerjet e energjisë.
Bajrami në postimin e saj në Facebook shkruan: “Të nderuar qytetarë, ju që po përballeni me reduktime, Mbrëmë, pas mesnatës, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, LVV-ja votoi vendimin e Qeverisë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë – kjo është domethënia e masave emergjente në sektorin e energjisë.
Tash, për 60 ditë, energjia mund të ndërpritet kurdo dhe kudo, sepse këtë e lejon Kuvendi me vendim.
Pra, ky vendim nuk e përmirëson furnizimin me energji, ky vendim e mbron KEDS/KESCO-n nga paditë eventuale për dëmet që po bëhen nga ndërprerjet e energjisë elektrike.
Po, vendimi e detyron edhe Ibër-Lepencin të prodhojë energji për Shërbimin Universal, por kapaciteti i instaluar i tij është vetëm rreth 30 MW.
Tash mendojeni vetë sa mundet me u përmirësu gjendja me 30 MW. – Për t’i arsyetuar reduktimet, – Për blerjen e energjisë elektrike, duke anashkaluar rregullat e prokurimit publik, – Për kontraktimin e kompanive për investime e remonte në KEK, pa procedurat e zakonshme të prokurimit.
Mos të harrojmë, masat emergjente për furnizim me energji u shpallën për herë të parë më 21 dhjetor 2021.
Gati pesë vjet më vonë, ende po qeverisin me masa emergjente. – Nuk ka kontrata afatgjata për blerje të energjisë. – Remontet kanë dështuar dhe kontratat janë lidhur shumëfish më shtrenjtë. – Strategjia e Energjisë nuk po zbatohet. – Nuk janë ndërtuar kapacitete të reja gjeneruese.