Katër persona të arrestuar nën akuzën se po përgatitnin një akt terrorist në Greqi janë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, dhe dyshohet se në këtë rast janë të përfshirë edhe dy shtetas iranianë.
Sipas informacionit, autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë konfirmuar se kreu i organizatës është Edriz Mavaneh, ndërsa pjesa tjetër e grupit përbëhet nga individë me bindje radikale islamike nga zona e Kumanovës dhe Shkupit.
Policia greke ka njoftuar gjithashtu për arrestimin e shqiptarit Sh.M, i lindur dhe banues në Kumanovë.
Musliu, së bashku me anëtarë të tjerë të celulës, dyshohet se kishin planifikuar të kryenin një atentat ndaj një biznesmeni në Greqi, i cili gjithashtu mbante një post të lartë në një kompani izraelite të prodhimit të armëve.
Ky operacion, sipas hetimeve, dyshohet se financohej nga shtetasi iranian Mabanex, i cili kishte marrë urdhra nga shërbimet iraniane të inteligjencës për eliminimin e biznesmenit izraelit.
I arrestuari Sh.M kishte tentuar më parë të hynte në Greqi përmes Turqisë, por ishte kthyer mbrapsht në pikën kufitare të Evrosit.
Në një përpjekje të dytë, ai u ndalua pasi shërbimet greke ishin njoftuar nga homologët e tyre në Maqedoninë e Veriut për planin e celulës.
Autoritetet greke kanë konfirmuar se e kishin mbajtur grupin nën përgjim për afro një vit.