Policia e Kosovës Parandalon Kontrabandën në Leposaviq

Policia e Kosovës ka parandaluar dy raste të dyshuara të kontrabandimit me mallra në komunën e Leposaviqit.

Sipas njoftimit të Policisë, rastet janë identifikuar më 17 nëntor, në dy lokacione të ndryshme, falë angazhimeve policore dhe bashkëpunimit me qytetarët.

Rasti i parë është regjistruar rreth orës 16:30, në fshatin Kamen të Leposaviqit.

Zyrtarët policorë kanë ndaluar një autobus, pasi kishin marrë informacione se në bagazhin e tij mund të kishte mallra të dyshimta.

Gjatë kontrollit, në hapësirën e bagazhit janë gjetur të fshehura 12 paketa me cigare të llojeve të ndryshme, ku secila përmbante nga 50 boksa cigare.

Shoferi i autobusit ka deklaruar se cigaret i kishte blerë në Mitrovicë.

Inspektorët e Agjencisë Tatimore të Kosovës kanë konstatuar se për mallrat e gjetura nuk kishte dokumentacion valid.

Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, ndaj shoferit është iniciuar rast penal për veprën penale “Tregti e ndaluar”.

Inspektorët tatimorë gjithashtu do ta trajtojnë lokalin në Mitrovicë, nga i cili dyshohet se janë blerë cigaret.

Rasti i dytë është evidentuar rreth orës 20:00, në fshatin Mihaliq të Leposaviqit, ku policia ka ndaluar për kontroll dy automjete.

Gjatë kontrollit, janë gjetur mallra të ndryshme, përfshirë cigare, pije alkoolike, detergjente dhe produkte të tjera, për të cilat dyshohet se nuk posedonin dokumentacionin e nevojshëm.

Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, mallrat e gjetura janë proceduar në Doganën e Kosovës për trajtim dhe veprime të mëtejshme ligjore.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin në parandalimin dhe luftimin e aktiviteteve të kundërligjshme, përfshirë kontrabandimin me mallra.

Në të njëjtën kohë, ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe i ka inkurajuar që çdo aktivitet të dyshimtë ta raportojnë në numrin emergjent 192.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *