Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Liza Gashi, ka theksuar se Kosova ka arritur përparim në rrugën drejt integrimit evropian, pavarësisht kritikave dhe vlerësimeve të përfshira në Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian për vitin 2026.
Duke folur në emër të grupit parlamentar të LVV-së gjatë debatit të sotëm në Kuvend, Gashi theksoi se vendi ka bërë përparim në përafrimin e legjislacionit me standardet evropiane dhe zgjerimin e marrëdhënieve tregtare.
Ajo veçoi liberalizimin e vizave, që hyri në fuqi në vitin 2024, si një arritje të rëndësishme për qytetarët e Kosovës. “Për ne si grup parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, së bashku me aleatët tanë, ky debat parlamentar po ashtu është një mundësi e mirë për të prezantuar sukseset dhe përparimin e pamohueshëm të Republikës së Kosovës në rrugëtimin e Bashkimit Evropian”, deklaroi Gashi.
Deputetja theksoi se integrimi evropian mbetet orientim strategjik i Kosovës, duke vlerësuar se mosshqyrtimi i aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian paraqet një sfidë për vetë procesin e zgjerimit të BE-së.
Sipas saj, një nga faktorët që ka ndikuar në ngecjet e vendit është bllokada institucionale. “Raporti i Progresit duhet lexuar në kontekstin politik dhe institucional në të cilin është hartuar.
Gjatë periudhës raportuese, Kosova ka mbajtur tri palë zgjedhje: një palë lokale dhe dy palë nacionale.
Këto procese zgjedhore ishin demokratike, konkurruese dhe të menaxhuara mirë.
Mbi të gjitha, ky raport e identifikon bllokadën institucionale në qendër.
Bllokada institucionale ka kosto reale, me ligje të pamiratuara, pasi nuk ka ekzistuar Kuvendi, reforma të ngadalësuara, pasi kemi pasur një qeveri në detyrë, dhe vonesa në miratimin e Planit të Rritjes.
Po ashtu, edhe institucionet e pavarura kanë pasur mungesë të mbikëqyrjes së Kuvendit”, shtoi Gashi.