Largimi i Milan Radoiçiqit dhe Zvonko Veselinoviqit: Skenarët e Mundshëm të Strehimit në Rusi ose Kirgistan

Vendndodhja e Milan Radoiçiqit dhe Zvonko Veselinoviqit, dy figura kontroverse serbe të lidhura me zhvillimet në veri të Kosovës, mbetet e paqartë.

Raportimet e fundit nga mediat serbe sugjerojnë se ata mund të kenë ikur drejt Rusisë ose Kirgistanit.

Gazetarët investigativë në Serbi kanë ngritur dyshime se të dy mund të kenë shfrytëzuar situatën pas zgjedhjeve dhe mungesën e një qeverie të re në Beograd për t’u larguar, në një periudhë kur autoritetet kanë nisur arrestime ndaj personave të lidhur me pushtetin e mëparshëm.

Gazetarja e KRIK-ut, Bojana Jovanoviq, ka thënë se Rusia është një nga destinacionet e mundshme për Veselinoviqin, për shkak të lidhjeve të tij me këtë shtet.

KRIK kishte raportuar më 11 nëntor se Zvonko Veselinoviqi kishte udhëtuar nga Sarajeva në Turqi.

Po ashtu, ish-inspektori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), Milan Zvezdanoviq, kishte deklaruar dy ditë më vonë se Milan Radoiçiq kishte ikur drejt Rusisë. “Është interesante ta shohim Veselinoviqin të relaksuar gjatë gjuetisë dhe të dimë se ka lidhje me Rusinë.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme tani që e dimë se ai është larguar nga Serbia.

Kemi marrë informacion se ka udhëtuar nga Sarajeva drejt Turqisë, por nuk e dimë se cili është destinacioni i tij përfundimtar.

Rusia është padyshim një nga vendet ku ai mund të kërkojë strehim dhe ku mund të ndihet i sigurt”, tha Jovanoviq.

Ajo vlerëson se situata politike në Serbi mund t’u ketë krijuar hapësirë personave me ndikim që të largohen, në një kohë kur institucionet po funksionojnë në kushte të paqarta politike.

Sipas saj, arrestimet lidhen kryesisht me hetime të mëhershme, kallëzime penale dhe procedura të hapura, ndërsa mungesa e një qeverie të re po krijon një situatë ku përplasje të ndryshme brenda strukturave të pushtetit mund të ndikojnë në zhvillimet institucionale. “Nuk kemi ende një qeveri të re.

Arrestimet po ndodhin brenda strukturave të regjimit të mëparshëm.

Njerëz nga regjimi i mëparshëm po arrestojnë njerëz të tjerë të po atij regjimi, si Radoiçiqi dhe Veselinoviqi.

Ka një konflikt të dukshëm mes mbështetësve të regjimit të mëparshëm.

Kaosi krijon hapësirë individëve me ndikim që të fshihen, pasi nuk ka hetime serioze”, tha ajo për N1.

Veselinoviqi dyshohet se kishte tentuar të kontaktonte Vuçiqin para largimit.

Gazetari i Radar-it, Milan Radonjiq, ka dhënë informacione jozyrtare për lëvizjet e Veselinoviqit dhe raportet e tij me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Sipas tij, Veselinoviqi kishte tentuar të kontaktonte Vuçiqin në ditët para zgjedhjeve, por nuk kishte arritur ta bënte këtë.

Radonjiq thekson se biznesmeni kontrovers ishte larguar nga Serbia një ditë pas zgjedhjeve, pasi kishte përmbushur disa detyrime tatimore të kompanive të tij. “Disa nga informacionet tona të brendshme sugjerojnë se Veselinoviqi u përpoq të lidhej me Vuçiqin, por nuk arriti ta kontaktonte.

Të nesërmen pas zgjedhjeve, pasi kishte mbyllur detyrimet e tij tatimore, ai u largua nga Serbia”, tha Radonjiq.

Ai ka theksuar se në pronat e Veselinoviqit dhe Radoiçiqit në lagjen Dedinje nuk ka njerëz, duke krijuar përshtypjen se ato vazhdojnë të jenë të banuara.

Rasti i Milan Radoiçiqit është veçanërisht i ndjeshëm për shkak të rolit të tij në sulmin e armatosur në Banjskë, më 24 shtator 2023.

Autoritetet serbe kishin vendosur që atij t’i ndalohej largimi nga vendbanimi, por ai nuk e kishte përmbushur detyrimin për t’u paraqitur në polici.

Gazetari Radonjiq ka kritikuar institucionet serbe për mënyrën si e kanë trajtuar rastin, duke ngritur pyetje rreth përgjegjësisë për mbikëqyrjen e lëvizjeve të tij.

Radoiçiqi akuzohet për blerjen e armëve dhe municioneve, të cilat, sipas aktakuzës, ishin siguruar nga Tuzla e Bosnjë-Hercegovinës.

Në Kosovë, ai konsiderohet organizatori i sulmit në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Radoiçiqi, pesë ditë pas sulmit, mori përsipër përgjegjësinë për organizimin e tij dhe më pas dha dorëheqje nga pozita në Listën Serbe.

Gazetarët investigativë serbë kanë rikthyer në vëmendje raportet e Radoiçiqit dhe Veselinoviqit me strukturat e pushtetit në Beograd, duke pretenduar se ata kanë gëzuar mbrojtje nga udhëheqës të lartë shtetërorë. “Radoiçiqi ishte njeriu numër një për mbrojtjen e serbëve në Kosovë”, kishte thënë Vuçiq.

Veselinoviqi kishte pasur ndikim më të madh në qytetarët e Mitrovicës edhe para ardhjes së Partisë Përparimtare Serbe në pushtet.

Gazetarët kanë rikujtuar raste të mëhershme ku ishin përmendur emrat e tyre, përfshirë dyshime për përfshirje në raste kriminale, të cilat kishin përfunduar me ndryshime të deklaratave dhe zhvillime të pazakonta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *