Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, ka kërkuar që Bashkimi Evropian ta trajtojë Kosovën me standarde të njëjta gjatë procesit të integrimit evropian, duke marrë parasysh sfidat e sigurisë në rajon.
Gjatë pjesëmarrjes në sesionin e 38-të të Asamblesë Rajonale të Frankofonisë (APF) në Bruksel, ku ai ishte kryesues i delegacionit të Kosovës, Kraki ngriti disa çështje të rëndësishme.
Në kuadër të temës “Evropa përmes vlerave, gjuhëve dhe kulturave”, dhe me praninë e ish-kryeministrit të Belgjikës dhe aktualisht eurodeputetit, Elio Di Rupo, Kraki theksoi dy çështje kryesore.
E para kishte të bënte me trajtimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian.
Ai pyeti se pse Bashkimi Evropian nuk po zbaton standarde të njëjta për Kosovën, duke kërkuar që vendi të përfitojë nga kriteret gjeopolitike të sigurisë, ashtu si Ukraina dhe Moldavia. Çështja e dytë që ai ngriti ishte njohja e pavarësisë së Kosovës.
Kraki, në praninë e mbi 30 delegacioneve, bëri thirrje për njohjen e Kosovës nga shtetet që ende nuk e kanë bërë këtë, duke theksuar se një veprim i tillë do të dëshmonte respektimin e vlerave mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.
Sipas Krakit, gjatë diskutimit, Di Rupo shprehu shpresën për një qasje të re nga pushteti i ri në Serbi, pasi marrëdhëniet me Beogradin po e pengojnë integrimin e Kosovës.
Ai gjithashtu u shpreh se për shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, secili vend ka problemet e veta të brendshme dhe se nuk ishte në pozitë t’u jepte këshilla.
Megjithatë, Kraki e kritikoi këtë përgjigje, duke e cilësuar si një mënyrë evropiane për të shtyrë kohën pa marrë guximin për t’i zgjidhur problemet reale.