Policia e Kosovës ka sekuestruar katër armë zjarri, përfshirë një AK-47, gjatë një kontrolli të kryer mbi një automjet në fshatin Gazivod të Zubin Potokut.
Dy persona janë arrestuar dhe intervistuar si të dyshuar, por më pas janë liruar sipas procedurave të zakonshme.
Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur të dielën, më 1 nëntor, rreth orës 16:15, kur zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Zubin Potok ndaluan për një kontroll rutinor një automjet me targa vendore.
Automjeti drejtohej nga një person, i lindur në vitin 1993, ndërsa pasagjer ishte një tjetër person, i lindur në vitin 1973.
Gjatë kontaktit me policinë, drejtuesi i automjetit deklaroi se kishte armë, të cilat sipas tij, i kishte gjetur në një thes, disa metra larg vendit ku ishte ndaluar automjeti.
Pas arrestimit të dy personave dhe kontrollit të automjetit, policia zbuloi dhe sekuestruar katër armë zjarri: një të llojit AK-47 dhe tri të tjera të llojit M-48.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar edhe kontrollin në adresat e banimit të dy të dyshuarve në Mitrovicë të Jugut.
Gjatë këtyre kontrolleve, nuk është gjetur ndonjë send i kundërligjshëm.
Me udhëzim të prokurorit, të dy personat janë intervistuar si të dyshuar.
Pas intervistimit, ata janë liruar në procedurë të rregullt.
Rasti do të hetohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që, nëse hasin në armë ose mjete të tjera të kundërligjshme, të mos i prekin ato, por të njoftojnë autoritetet përmes numrit emergjent 192.
Policia ka theksuar se mbetet e përkushtuar për identifikimin dhe largimin e armëve ilegale nga duart e personave të paautorizuar, me qëllim të garantimit të sigurisë së përgjithshme.