Rasti i Vlora Hysenit: SPAK-u pritet të kërkojë arrestimin e ish-drejtoreshës së SHISH

Gazetari investigativ shqiptar, Artan Hoxha, ka bërë të ditur se SPAK-u pritet të kërkojë në ditët në vijim masën e arrestit me burg për ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni.

Në emisionin “Top Story” me Grida Dumën, Hoxha ka zbuluar disa detaje nga dosja hetimore, duke pretenduar se përveç dyshimit për favorizimin e biznesmenit Ergys Agasi, Hyseni dyshohet gjithashtu për përfshirje në pastrimin e parave të përfituara në mënyrë të paligjshme nga AKSHI.

Sipas Hoxhës, në dosje përmenden dy pagesa prej 250 mijë eurosh, të cilat janë transferuar, si dhe një pagesë tjetër prej 450 mijë eurosh që është anuluar.

Ai theksoi se këto para janë transferuar drejt një kompanie gjermane, ku kishte punuar vëllai i Vlora Hysenit.

Hoxha ka deklaruar se kompania shqiptare Fortis Beton justifikonte pagesat me shërbime nga një studio arkitekture, e cila do të hartonte projektin për ndërtimin e një qendre tregtare.

Ai gjithashtu ka theksuar se në dosje përmendet edhe roli i Ergys Agasit, i cili kishte orientuar kompaninë gjermane për realizimin e projektit.

Megjithatë, gazetari ka bërë një dallim të qartë mes pretendimeve që përmban dosja dhe provave që duhet të paraqiten gjatë procedurës hetimore dhe gjyqësore. “Ne jemi te narrativa e akuzës, nuk i dimë ende provat.

Aty ka informacione se ka afera më të mëdha, thjesht problem mbetet prova,” ka thënë Hoxha.

Ai ka pretenduar se dëmi në SHISH lidhet me prishjen e strukturës tradicionale të shërbimit sekret shqiptar dhe ka kritikuar publikimin e vendimit gjyqësor që përmbante informacione të klasifikuara.

Sipas gazetarit, ky rast ngre pyetje edhe mbi mënyrën se si Hyseni dhe Agasi janë njohur dhe kanë krijuar lidhje, duke theksuar se të dy kanë punuar në Kryeministri.

Hoxha ka përmendur gjithashtu kryeministrin Edi Rama në kontekstin e emërimeve të tyre në pozitat përkatëse dhe ka vlerësuar se dosja mund të jetë shumë më e gjerë nga sa është bërë publike deri më tani, duke e cilësuar informacionin e zbuluar si “majën e ajsbergut.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *