Reagimi i Organizata Islame në Zvicër ndaj Imamit Bashkim Aliu pas Deklaratave Homofobike

Dy organizata të njohura myslimane në Zvicër kanë marrë distancë publike nga imami shqiptar Bashkim Aliu.

Kjo ndodhi pas publikimit të disa deklaratave homofobike nga ana e tij, si dhe pas raportimeve për pjesëmarrjen e tij në një konferencë në Katar, ku ishte i pranishëm edhe ish-udhëheqësi i Hamasit, Ismail Haniyeh.

Këto organizata janë Federata e Organizatave Islamike të Zvicrës (FIDS) dhe Shoqata e Organizatave Islame të Cyrihut (VIOZ), të cilat kanë theksuar se qëndrimet e tilla nuk pasqyrojnë parimet dhe vlerat e tyre.

Sipas gazetës zvicerane “SonntagsZeitung”, FIDS ka vendosur ta lirojë menjëherë Aliun nga detyrat e tij si drejtues i Komisionit të Imamëve.

Nga ana e tij, Aliu ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në VIOZ, ku mbante përgjegjësinë kryesore teologjike. “Homofobia ose deklaratat që cenojnë dinjitetin njerëzor bien ndesh me parimet tona,” është qëndrimi i shprehur nga këto organizata, të cilat kanë theksuar se imamët duhet t’i kryejnë detyrat e tyre brenda kontekstit shoqëror dhe ligjor zviceran.

Reagimi i tyre erdhi pas zbulimit të një postimi të Bashkim Aliut në Facebook nga viti 2017, në të cilin ai e kishte quajtur Paradën e Krenarisë në Prishtinë si “paradë turpi”.

Një tjetër çështje që ngriti pikëpyetje ishte pjesëmarrja e tij në një konferencë në Doha të Katarit, në janar të vitit 2024, të organizuar nga Unioni Ndërkombëtar i Dijetarëve Myslimanë.

Në të njëjtin aktivitet kishte marrë pjesë edhe Ismail Haniyeh, udhëheqësi i atëhershëm i Hamasit.

FIDS njoftoi se nuk kishte qenë në dijeni për pjesëmarrjen e Aliut në këtë ngjarje dhe se nuk do të lejonte përfaqësuesit e saj të merrnin pjesë në një aktivitet me një listë të tillë të ftuarish.

Ndërkohë, VIOZ sqaroi se Aliu nuk kishte marrë pjesë në konferencë në emër të saj dhe as me autorizimin e organizatës, duke theksuar se rrethanat e këtij udhëtimi do të shqyrtohen më tej.

Rasti ka marrë vëmendje të madhe gjithashtu për shkak të financimit publik të organizatave myslimane në Cyrih.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *