Reforma në Drejtësi: Kryeministri Kurti Kërkon Llogaridhënie Pas Vrasjes së Arlinda Zekajt

Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse të japin shpjegime për mënyrën se si është trajtuar rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt.

Ai ka njoftuar se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë kanë edhe 54 orë për të përfunduar raportin, i cili pritet të identifikojë dështimet e mundshme të institucioneve.

Kurti paralajmëroi se pas shqyrtimit të gjetjeve do të merren masa ndaj atyre që mbajnë përgjegjësi, në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi. “54 orë nga ky moment i kanë Ministria e Punëve të Brendshme edhe Ministria e Drejtësisë, dhe kjo është rezultat i seancës së mbrëmshme kur u votua me 67 vota rezoluta.

Unë thashë që ata i kanë 72 orë.

Natyrisht që do të ketë masa në përputhje me ligjin dhe rregulloret.

Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi, e dimë, por tani shpejtësia është kryesore,” tha Kurti.

Ai theksoi se raporti duhet të ndriçojë rastin deri në fund dhe të shqyrtojë raste të ngjashme, duke kërkuar identifikimin e përgjegjësive në çdo hallkë të sistemit të drejtësisë. “Arlinda Zekaj është dëshmore e betejës për drejtësi në Republikën e Kosovës,” theksoi Kurti, duke shtuar se duhet të ketë hetime ndaj hetuesve, aktakuza kur ka bazë ligjore dhe gjykime nga gjykatat.

Kryeministri vlerësoi se reforma në sistemin e drejtësisë nuk mund të shtyhet më, duke përmendur kritikat e vazhdueshme të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës në këtë fushë.

Sipas tij, raportet e BE-së ndër vite kanë evidentuar mangësi në sistemin e drejtësisë, çka e bën të domosdoshëm trajtimin urgjent të tyre. “Reforma e sistemit të drejtësisë nuk është vetëm e rëndësishme, po është urgjente,” theksoi Kurti.

Ai kërkoi nga institucionet përgjegjëse që të veprojnë me shpejtësi dhe të sigurojnë llogaridhënie për çdo dështim të mundshëm. “Drejtësinë duhet ta drejtojmë.

Kjo do të thotë edhe hetim e hetuesve, edhe aktakuzë prokurorëve, edhe gjykime gjykatave,” deklaroi ai.

Në fillim të fjalës së tij, Kurti shprehu ngushëllime për familjen Zekaj, duke thënë se vrasja e Arlindës ka shkaktuar tronditje të madhe në shoqëri dhe ka nxitur kërkesa për drejtësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *