Çdo vit diagnostikohen rreth 120 raste të reja me kancer të qafës së mitrës, ku rreth 50 për qind e pacienteve humbin jetën nga kjo sëmundje.
Pacientja më e re e diagnostikuar është vetëm 18 vjeçe.
Gjinekologët theksojnë se vaksinimi mbetet mbrojtja më e mirë, megjithatë shqetësues është numri i ulët i të vaksinuarve kundër HPV-së. “Vaksinimi është shumë i dobët.
Pra, kemi dallime të mëdha në nivelin e vaksinimit ku kemi rajone me vaksinim 100 për qind në rajonet lindore, ndërsa në qytetet si Ohri, Manastiri dhe Shkupi, konkretisht komunat Qendër, Karposh dhe Aerodrom, vaksinimi është në nivel shumë të ulët,” shprehet Gligor Tofoski, Kryetar i Shoqatës së Gjinekologëve.
Në Maqedoninë e Veriut, vaksinimi është nën 50 për qind, në krahasim me vendet e tjera ku realizohet mbi 90%.
Mjekët theksojnë se vaksina është e sigurt dhe se çdo keqinformim rreth saj duhet të marrë fund. “Ne besojmë te vaksina, sepse pse do t’i vaksinonim fëmijët tanë nëse nuk do të besonim në të?
Fëmijët dhe nipërit e mi janë të vaksinuar dhe të gjithë kanë fëmijë.
Pra, absolutisht nuk është e vërtetë se vaksina shkakton sterilitet.
Këto pretendime vazhdimisht i korrigjoj edhe te pacientët,” thotë Emilija Trajkovska, gjinekologe.
Skriningu për HPV-në mungon te gjinia mashkullore, ndërsa deri më tani është realizuar vetëm te gratë.
Që nga viti 2024, vaksina kundër HPV-së do të aplikohet falas edhe te djemtë.
Në vendet e tjera, vaksinimi kundër HPV-së ofrohet deri në moshën 26-vjeçare, ndërsa te ne është falas vetëm deri në moshën 19-vjeçare; pas kësaj moshe, një dozë kushton rreth 8 mijë denarë.