Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se samiti i ardhshëm i NATO-s nuk do të mbahet në Shqipëri në vitin 2027, pavarësisht planeve të mëparshme për organizimin e tij në Tiranë.
Duke folur të enjten në Dublin, para një takimi të liderëve evropianë, Rama shpjegoi se ende nuk është arritur një konsensus për datën e mbajtjes së samitit. “Çështja është se ende nuk ka një qëndrim të përbashkët se kur do të mbahet samiti.
Sigurisht, jo në vitin 2027”, theksoi ai, sipas Reuters.
Megjithatë, ai la të hapur mundësinë që Shqipëria të mund të presë samitin në vitin 2028. “Dhe në vitin 2028, nëse do të ketë samit, ai do të mbahet në Tiranë”, shtoi Rama.
Sipas Reuters, planet për organizimin e samitit të NATO-s në Shqipëri gjatë vitit 2027 kishin hyrë në pikëpyetje që në muajin qershor, për shkak të kundërshtimeve nga administrata Trump dhe pakënaqësive të disa vendeve anëtare lidhur me shpenzimet e ulëta të Shqipërisë për mbrojtjen.
Ndërkohë, NATO po shqyrton mundësinë e ndërprerjes së praktikës së mbajtjes së samiteve çdo vit.
Diplomatë të ndryshëm kanë bërë të ditur se Aleanca mund të vendosë edhe në një afat të shkurtër për mbajtjen e një samiti gjatë vitit 2026, por jo në Tiranë.
Një zyrtar i NATO-s ka konfirmuar se samiti i ardhshëm i Aleancës do të mbahet në Shqipëri, por pa dhënë një datë konkrete.
Në deklaratën e miratuar në samitin e NATO-s në Hagë, në qershor të vitit 2025, liderët folën për takimin e radhës në Turqi në vitin 2026, i pasuar nga një takim në Shqipëri.
Megjithatë, në deklaratën e samitit të Ankarasë, të mbajtur në korrik të këtij viti, liderët u shprehën vetëm se presin takimin e ardhshëm, pa specifikuar datën apo vendin ku do të mbahet.