Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, e ka kujtuar motrën e tij në trevjetorin e vrasjes, duke publikuar një dedikim prekës në rrjetet sociale.
Ai ka shprehur se familja vazhdon të jetojë me dhimbjen dhe mallin për Liridonën, duke theksuar se mungesa e saj ndihet çdo ditë. “Sot bëhen 3 vite që kur na u këput një pjesë e shpirtit, 3 vite që jetojmë me mungesën, dhimbjen dhe mallin për ty, motra jonë e shtrenjtë”, ka shkruar Ademaj.
Në dedikimin e tij, ai ka përmendur edhe dy djemtë e Liridonës, të cilët, sipas tij, po rriten pa praninë dhe përqafimin e nënës së tyre. “Më së shumti na dhemb për dy djemtë e tu, të cilët sot rriten pa e pasur nënën pranë, pa përqafimin e saj, pa zërin e saj që i thërret, pa dashurinë që vetëm një nënë mund ta falë”, ka theksuar ai.
Leonard Ademaj gjithashtu ka shprehur dhimbjen e familjes për humbjen e Liridonës, duke thënë se asnjë dënim nuk mund ta kthejë atë në jetë. “Burgimi i përjetshëm për ata që ta morën jetën është pak për atë që kanë shkaktuar.
Asnjë dënim nuk të kthen ty, asnjë ditë burgu nuk i shlyen lotët, dhimbjen dhe boshllëkun që na ke lënë”, ka theksuar vëllai i saj.
Në fund, ai ka falënderuar të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë familjes gjatë këtyre tri viteve të vështira. “Liridona, do të të kujtojmë përjetë.
Emri yt, jeta jote dhe dhimbja për humbjen tënde nuk do të harrohen.
U prehsh në paqe, motra jonë”, ka përfunduar dedikimin Leonard Ademaj.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në fshatin Bërnicë të Prishtinës, në një rast që fillimisht ishte paraqitur si grabitje.