Policia e Tiranës arreston një 29-vjeçare, zbulon armë dhe sende të paligjshme për protestën e 28 Nëntorit

Policia e Tiranës ka përfunduar operacionin me emrin “Distribution of Elements”, në kuadër të hetimeve për sigurimin dhe shpërndarjen e sendeve të paligjshme që dyshohet se do të përdoren gjatë protestës që u mbajt më 28 Nëntor në kryeqytet.

Gjatë këtij operacioni, është arrestuar një 29-vjeçare me emrin Fatime Paja, e cila u lokalizua në rrugën “Qemal Stafa” ndërsa udhëtonte me një automjet tip “Fiat”.

Pas kontrollit të automjetit, efektivët gjetën dhe sekuestruan 91 koktej molotov, 166 fishekzjarrë, 17 kapsolla, 59 tuba metalikë, dy maska kundragaz, si dhe veshje, doreza, maska, kapele, dy telefona celularë dhe sende të tjera që ishin të destinuara për t’u përdorur gjatë protestës.

Sipas hetimeve, dyshohet se 29-vjeçarja ka vepruar në bashkëpunim me dy individë të tjerë, I.

M. (28 vjeç) dhe R.

S. (39 vjeç), të cilët janë shpallur në kërkim.

Policia ka bërë të ditur se ata siguronin dhe shpërndanin sende të paligjshme për pjesëmarrësit në protestë, me synimin për t’i përdorur ato në akte të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore.

Operacioni u realizua nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit.

Ndërkohë, puna për kapjen e dy personave që janë shpallur në kërkim vazhdon, si dhe për identifikimin e individëve të tjerë të dyshuar që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.

Materialet procedurale janë dërguar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *