Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, ka shprehur dyshime mbi mënyrën se si është lejuar hyrja e Alta Bankës në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarime nga Qeveria dhe Banka Popullore.
Në emisionin “Debat në Shenja”, Bytyqi theksoi se LSDM-ja e ka ngritur këtë çështje prej rreth një viti e gjysmë, duke e parë këtë rast në kontekstin e zhvillimeve në Serbi dhe ndikimin e mundshëm politik e financiar në Maqedoninë e Veriut. “Është mirë që po e hapim këtë temë, sepse kjo temë nuk është prej javës së kaluar, pothuajse ka 1 vjet e gjysmë si LSDM që përpiqemi ta nxjerrim në pah.
Kjo është vetëm pasojë e shkakut, pse u leju Alta Bank në vend.
Thonim pse Alta Bank, e jo bankat tjera, sepse Alta Bank nuk njihet me reputacion të mirë.
Bile pronari i Alta Bank ka marrë një ndalesë në Bankën Qendrore, është në listën e zezë etj.
Tani po i shohim ajo çka ndodh në Serbi, ai u arrestu”. “Paratë kanë qenë diku jashtë bankës, vetëm kanë figuaruar.
Qeveria dhe Banka Popullore duhet të japin shpjegim në Maqedoni si u leju.
Ne e quajmë këtë si hyrje e kapitalit koroziv.
A ishte Alta Bank vetëm një hyrje e ndikimit që e ka folur edhe KE të botës serbe në Maqedoni dhe nëse ky ishte një pagim i një borxhi që Qeveria e kishte marrë nga patroni i tyre Vuçiqi”, u shpreh Bytyqi.