Një tragjedi e rëndë ka ndodhur në Shqipëri, ku një elektricist, 34-vjeçar, ka humbur jetën.
Ai është identifikuar si A.N. dhe ka mbërritur në spitalin e Shkodrës pa shenja jete.
Sipas informacioneve të para, 34-vjeçari ka rënë në kontakt me rrymën elektrike gjatë përpjekjes për të riparuar një defekt në një shtyllë elektrike.
Ai ishte thirrur jashtë orarit të punës nga disa familje në fshatin Bardhaj, të cilat kishin probleme me furnizimin me energji elektrike, por nuk kishin njoftuar dispeçerinë e OSHEE-së.
Rreth orës 20:36, A.N. është dërguar në Urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër, por pavarësisht përpjekjeve, nuk ka arritur të mbijetojë.
Grupi hetimor është në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të sqaruar rrethanat e këtij rasti të rëndë dhe për dokumentimin ligjor të ngjarjes.